Khabib thumbon McGregor: Pasi të hyjë në kafaz, do ta kap dhe shtyp si një pulë
Kampioni i botës në peshën e lehtë në UFC, Khabib Nurmagomedov, beson se jo vetëm do ta mbrojë titullin në duelin e 6 tetorit (UFC-229) ndaj Conor McGregor, por edhe ka për ta mposhtur me shumë lehtësi rivalin irlandez. Las Vegasi do të mirëpresë atë që konsiderohet si sfida më e madhe e arteve marciale mikse, dy sportistë që e urrejnë njëri-tjetrin, ndaj dhe kampioni rus nuk i ka kursyer fjalët poshtëruese karshi McGregor.
“Kjo është sfida më e madhe e historisë së UFC-së dhe jam krenar që jam pjesë e saj. Ëndrra ime është që ta shtyp në kafaz Conor. Ëndrra ime është që ta bëj McGregor të duket si një pulë. Pasi të mbyllet kafazi ai nuk ka nga të dalë, do ta kam dhe do ta shtyp në tapet. Nuk shoh asnjë mënyrë se si ai të të mposhtë. Conor ka vetëm një të majtë të fortë dhe asgjë më shumë”, u shpreh Khabib Nurmagomedov, i pamposhtur në UFC.