Keta: Çdo heshtje e jona do t’i jepte fitoren boksierit Karakus
Trajneri i boksierit Ferit Keta, Ismail Keta ka folur para sfidës së revanshit ndaj rivalit turk Mehmet Fatih Karakus, duke zbuluar arsyen e pranimit të këtij dueli sportiv dhe rëndësinë eventit të 8 dhjetorit për boksierët Keta.
“Pas gjithë atyre provokimeve dhe deklaratave që sportisti turk Karakus bëri ndaj Feritit, i mbështetur nga mediat turke dhe rrjete sociale, duke thënë ‘Unë sfidoj Ferit Ketën, në Tiranë, Dibër të Madhe, Mynih apo Turqi, duke vënë në lojë edhe dy titujt kampion bote’, çdo heshtje e jona do të pohonte në vazhdim Karakus si fitues, gjë e cila nuk mund të ndodh pa një duel sportiv.”
“Në jetë dhe në sport pranë fitores qëndron edhe humbja, ne punojmë fort, Feriti është deri tani i pathyeshëm në ring, kemi shqiptarët që na mbështesin dhe e kanë bërë gjithmonë. Për më tepër në këtë event fluturon enkas nga Shqipëria ish-presidenti i Shqipërisë z. Alfred Moisiu, që është nder për ne. Pra në atë mbrëmje në 8 dhjetor nuk ka vend për humbje, por edhe nëse ndodh jam i bindur që Feriti në ring nuk do t’i turpërojë Shqiptarët,”-ka thënë Ismail Keta.
Me 8 dhjetor do të ngjiten në ring, në “kickbox” Mehmet Fatih Karakus dhe Ferit Keta për të zhvilluar përballjen e dytë së bashku, pas dorëzimit të turkut në ndeshjen e parë ndaj Ketës në Dibër të madhe. Ky duel do të transmetohet live në Telesport nga Mynihu i Gjermanisë.