Kampioni i padiskutueshëm i botës debuton në peshën e rëndë
Tashmë është zyrtare. Kampioni i padiskutueshëm i botës në peshën “cruiserweight” (pesha deri në 91kg), ukrainasi Oleksandr Usyk, do të debutojë në peshën e rëndë. Më 25 maj, ai do të përballet ndaj francezit Carlos Takam, duel që do të zhvillohet në Maryland.
Kjo është sfida e parë e 32-vjeçarit Usyk në peshën e rëndë, një boksier ende i pamposhtur në karrierën e tij (16 fitore e asnjë humbje). Përballë tij një veteran i këtij Divizioni si 38-vjeçari Takam, 36 fitore, 5 humbje e 1 barazim në karrierën e tij.
Sfida ndaj Takam do t’i hapë dyert në peshën e rëndë Usyk, që njihet si “boksieri përbindësh”, i cili synon të jetë kampion i padiskutueshëm i botës edhe në Divizionin e ri.”25 maji është një ditë e rëndësishme në karrierën time, pasi do të debutoj në peshën e rëndë”, tha Usyk.
“Në peshën “cruiserweight” unë ia arrita të fitoja gjithçka dhe të bëhesha kampion i padiskutueshëm. Ky është objektivi im edhe në peshën e rëndë”, u shpreh Usyk. Titujt kampionë bote në peshën e rëndë mbahen nga Wilder (WBC) dhe Joshua (IBF, WVBA dhe WBO).