Kampioni i boksit tërhiqet në moshën 26-vjeçare, do të merret me politikë
Një kampion boksi në Shqipëri ka vendosur të heqë dorë nga pasioni i tij, për t’u marrë me politikë. Sipas Kristian Demajt, sporti nuk i sjell gjë në vendin tonë, ndaj për të ndryshuar dhe dhënë kontributin e tij për të ardhmen e sportistëve, do të bëhet aktiv në politikë. Kampioni 26-vjeçar shkodran ka habitur jo pak opinionin me këtë vendim, por duket se ai i ka të qarta idetë. “Me sport nuk ke asnjë të ardhme edhe nëse je kampion dhe nuk ke rivalë. Kjo ishte arsyeja pse zgjodha të merrem me politikë” – thekson Demaj, që ka fituar shtatë tituj kampion me të rriturit, ka marrë 39 medalje në turne të ndryshëm ndërkombëtare dhe 10 kupa si boksieri më i mirë. Po ashtu, për tre vite me radhë Demaj ka qenë edhe pjesë e ekipit meksikan gjysmëprofesionist “Mexico Guerreros”.
“Shumë mendojnë se unë kam përfituar ekonomikisht, duke qenë se jam kampion absolut, por realisht kam përfituar shumë pak, vetëm disa trajtime ushqimore mujore që nuk shërbejnë për asgjë. Mos harroni që boksi ka disa dëmtime,që nëse do të trajtohesha sot për të gjitha, mund të shkojnë mbi 10 mijë euro. Me boks kurrë nuk i fitoj këtu në Shqipëri këto para”– ka shtuar Kristian Demaj. Boksieri i peshave të rënda, që ka konkurruar kryesisht në peshat 81 dhe 91 kg, ku ka qenë i padiskutueshëm, është i mërzitur sepse sheh që askush nuk e ka mendjen te sporti.Boksieri shkodran bën edhe krahasimin mes futbollit dhe sporteve të tjera, sidomos ato individuale: “Me futbollin ndoshta është disi ndryshe, por di të them se me shumësportëshin po gabohet rëndë. Ai është në një rënie të lirë prej vitesh dhe po shkon drejt humnerës. Sot gjithëkush bëhet drejtues, gjithëkush bëhet trajner, gjithëkush bëhet sportist, madje edhe mjek bëhet gjithëkush. Kjo nuk mund të sjellë kurrsesi sport cilësor. Arsyeja pse zgjodha politikën është falë një njeriu: Agron Çelës, deputetit të Shkodrës. Një arsye pse zgjodha këtë rrugë është se duke qenë pjesë e politikës, mund të rregulloj sportin.”
13 Prill, 2017