Joshua replikon pas kritikave: Nuk kontrolloj vendimet e gjyqtarit
Vërshëllimat e fansave pas vendimit të gjyqtarit për të ndalur në raundin e 10-të duelin mes Joshua e Takam kanë zbehur disi fitoren e 20-të në ring të boksierit britanik. Përballë 78 mijë shikuesve, në Kardif, Joshua mbrojti titujt kampionë bote në peshat e rënda, kur mundi me “KO teknik” Takam, pas vendimit të gjyqtarit kryesor për të ndalur sfidën. “Unë nuk kam asnjë interes të mësoj se çfarë mendojnë apo bëjnë gjyqtarët. Detyra ime është të mund rivalin në ring dhe po ia dilja mbanë. Unë nuk kam asnjë kontroll mbi gjyqtarët dhe vendimet që ata marrin. Ndoshta ai e ndali duelin për të mirën e rivalit tim”, tha Joshua, që i ka fituar të gjitha duelet me KO.
“Për sa kohë që duel zgjati, ishte një sfidë e bukur dhe e dyluftuar. Kam respektin më të madh për Takam pas kësaj përballje. Ishte një sfidë që e kontrollova vazhdimisht”, tha më tej Joshua, duke vlerësuar rivalin, që u tregua një kockë e fortë dhe që nuk u lëkund për asnjë moment për shkak të fizikut të fortë. Takam, ashtu si fansat, nuk e aprovoi vendimin e gjyqtarit për ta ndalur sfidën në mesin e raundit të dhjetë, pasi synonte që ta çonte atë deri në fund. Ndaj dhe ai kërkon revanshin. “Nëse Anthony pranon, jam gati për revanshin”, tha Takam në konferencën e shtypit pas duelit. Joshua mbrojti titujt kampionë bote në kategorinë IBF dhe WBA në peshat e rënda.