Joshua: Nuk e llogaris Pulev, titujt do të mbesin tek unë
Anthony Joshua do të rikthehet në ring më 28 tetor, teksa në Kardif do të mbrojë titujt kampionë ndaj bullgarit Kubrat Pulev, në një përballje ku boksieri britanik shihet si favorit. Ai e di këtë gjë, ka kohë që ka nisur përgatitjet dhe beson se titujt kampionë bote në peshat e rënda në kategoritë IBF dhe WBA do të qëndrojnë tek ai edhe këtë vit. “Mezi po pres të rikthehem në ring dhe ju premtoj se do të festojmë sërish së bashku, pasi titujt kampionë do të qëndrojnë me mua”, u është drejtuar Joshua fansave të tij përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Britaniku, i pamposhtur në ring, me 19 fitore dhe të gjitha me “KO”, ka falënderuar fansat për mbështetjen. “Ju më njihni dhe e dini që mezi po pres të jem sërish pranë jush. Këtë dyuel do ta fitoj për ju”, ka thënë më tej kampioni i botës. Rivali i tij, Pulev, është mandatuar nga IBF-ja për t’u ngjitur në ring dhe ka vetëm një humbje si profesionist, atë ndaj Ëladimir Klitschko. Ukrainasi ishte edhe rivali i fundit i Joshua, pak muaj më parë. Joshua, 9 vjeç më i ri në moshë, ka kohë që ka nisur përgatitjet dhe synonte ta mbronte titullin në Britaninë e Madhe, para fansave të tij.