
Joshua: Ndaj Takam sfidë fizike, nuk e mposht dot para raundit të 10-të
Edhe pse konsiderohet favorit për të fituar duelin e 28 tetorit ndaj Carlos Takam, boksieri britanik Anthony Joshua, kampion bote në peshat e rënda, shprehet se do t’i duhet shumë punë dhe mund për të hedhur “KO” një rival si francezi (i lindur në Kamerun), i fortë fizikisht. Joshua ka deklaruar se po përgatitet për një duel të gjatë, që mund të shkojë nga 10 deri në 12 raunde dhe se nuk pret aspak një përballje të lehtë. Takam zuri vendin e Kubrat Pulev, i cili u dëmtua gjatë stërvitjes dy javë para duelit për titujt kampionë bote në peshat e rënda, në kategoritë IBF dhe WBO. Kjo përballje mes Joshua dhe Takam do të zhvillohet në Kardif, Uells.

Boksieri britanik Anthony Joshua
“Është një rival i fortë fizikisht dhe ka për t’u bërë edhe më i vështirë për t’u mundur, pasi duelon në një fushë ku nuk ka shumë fansa. Dhe kur duelon në një sfidë të tillë të gjithë mbrohen mirë, pasi nuk kanë asgjë për të humbur”, u shpreh Joshua, që më tej kritikoi zërat se ai do të ketë një fitore të lehtë. “Të gjithë thonë se në çfarë raundi Joshua do ta hedhë KO rivalin. Unë mendoj se në raundet 10-12 mund të zgjidhet si sfidë, pasi ai është një boksier i fortë, si një gur”, tha Joshua, Britaniku i pamposhtur në ring fitoi në përballjen e fundit ndaj Wladimir Klitschko në raundin e 11-të, pas një dueli spektakolar, ku mbrojti titujt kampionë bote.