Joshua kërcënon Povetkin: Do ta “mbys” në grushte
Boksieri britanik Anthony Joshua në konferencën e sotme për shtyp para duelit të 22 shtatorit ndaj Alexander Povetkin ka bërë me dije se do të lëshojë një mori grushtesh drejt rivalit të tij rus, që në momentin që do të dëgjohet gongu i parë. Dueli mes dy boksierëve i vlefshëm për titullin kampion bote në peshën e rëndë do të zhvillohet përballë 90 mijë shikuesve në stadiumin “Wembley” të Londrës. Joshua do të kërkojë në këtë sfidë suksesin e tij të 22-të, për të qëndruar i pamposhtur në ring.
“Kam shumë presion për këtë duel, shumë. Ky është realiteti para kësaj sfide. Të dy ne e dimë se kjo sfidë vlen shumë, por për mua kjo është e njëjta situatë ashtu si edhe para duelit të fundit”, thotë Joshua, që në lidhje me mënyrën se si do ta nisë këtë përballje shton: “Do ta mbys me grushte që në raundin e parë. Do të ngjitem në ring dhe do të gjej një mënyrë për ta fituar këtë duel. Edi që jam në formë të shkëlqyer dhe mezi pres të zhvilloj këtë sfidë”, u shpreh Joshua.
Britaniku pranon gjithashtu se kjo është sfida e tij më e vështirë që nga dueli me Klitschko, që është i vetmi boksier që ka mundur Povetkin në karrierën e rusit. “Ne jemi të dy boksierë me zemër të madhe dhe të dy e treguam këtë gjë ndaj Klitschko. Ai që është më i forti do të dalë fitues nga kjo sfidë. Nuk më tremb përvoja e tij, forca e tij, pasi kam gjithë jetën që përballem me boksierë të tillë”, u shpreh Joshua.