Joshua i sigurt: Vini bast për fitoren time me “KO” ndaj Parker
Boksieri britanik Anthony Joshua ka lajmëruar njerëzit që të bëhen të zgjuar dhe të vendosin paratë e tyre bast për fitoren e tij me “KO” ndaj Joseph Parker, duel që do të luhet më 31 mars në Kardif. Sot, dy boksierët kanë zhvilluar një konferencë shtypi, ku Joshua u shpreh se nuk është aspak i shqetësuar për rivalin edhe pse të dy boksierët janë kampionë bote dhe të pamposhtur në ring. “Nëse do të kem 20 stërlina në xhep do t’i vija bast për Joshua që do ta fitonte me KO këtë duel ndaj Parker”, u shpreh boksieri britanik, 20 fitore (të gjitha me KO) dhe asnjë humbje në karrierën e tij si profesionist, që mban titujt e kategorive IBF dhe WBA.
“Çdo duel që kam zhvilluar deri më tani ka qenë një leksion për mua dhe nga çdo stërvitje kam mësuar diçka të re. Edhe këtë herë kam punuar shumë për të qenë sa më i saktë në goditjet e mia dhe sa më teknik. E di që ky sezon mund të jetë shumë i mirë për mua dhe horizonti është i shndritshëm. Parker është një kampion dhe ka bërë mirë deri më tani, por ai do të jetë një pjesë e jetës time, pasi unë do të fitoj dhe do të shoh me më shumë optimizëm përpara. Unë jam përgatitur për një duel me 12 raunde, pra për mua kjo nuk përbën një problem edhe pse deri më tani të gjitha duelet i kam fituar me KO”, tha boksieri britanik Anthony Joshua.