Jones i pathyeshëm në kafaz
Amerikani Jon Jones ka mbrojtur titullin kampion bote në peshën “light heavyweight” (pesha 84-91kg) në artet marciale mikse, pas fitores me vendim unanim të gjyqtarëve ndaj Anthony Smith. Sfida mes dy sportistëve u zhvillua sot në eventin UFC-235, zhvilluar në Las Vegas, me Jones që mbrojti titullin që patu fituar dy muaj më parë në Los Anxhelos.
Një duel me 5 raunde i dominuar dhe fituar me meritë nga Jones, i pamëshirshëm në kafaz ndaj Smith, që pati meritën që rezistoi deri në fund. Një duel me 5 raunde, ku shkelmat e Jones çoroditën rivalin, që mezi reagonte, ndaj fitorja e ikonës së këtij Divizioni ishte e merituar. Të tri gjyqtarët ishin në të njëjtin mendim për sa i përket pikëzimit: 48-44, 48-44 dhe 48-44 në favor të Jones.
Smith u përpoq të rivalizojë dha më të mirën e tij të mundshme në kafaz, por kjo ishte e pamjaftueshme për ta fituar këtë duel dhe të bëjë surprizën. Kështu, pas 3 fitoresh radhazi ai ndalet, dukë pësuar humbjen e 14 në karrierën e tij, ku numëron edhe 31 fitore. Ndërsa për Jon Jones ky është triumfi nr.24 në karrierë, i 15-ti radhazi, ku numëron edhe 1 humbje dhe 1 duel pa rezultat.