Jon Jones sqaron fansat e kolegët pas zhvendosjes së eventit
Jon Jones u ka kërkuar ndjesë të gjithë fansave dhe sportistëve që do të marrin pjesë në eventin UFC-232, që do të zhvillohet më 29 dhjetor në Los Anxhelos. Ka qenë ish-kampioni i botës shkaktar që ky event u spostua nga Las Vegasi në Los Anxhelos, 6 ditë para zhvillimit të tij.
Jones doli pozitiv me një sasi të papërfillshme të “turinabol” pas një testi të kryer më 8 dhjetor, por sipas UFC-së, USADA (antidopingu amerikan) dhe WADA (antidopingu ndërkombëtar) kjo sasi ndodhet në rtupin e sportistit që prej vitit 2017, kur ai doli për herë të fundit pozitiv.
Shumë sportistë e kundërshtuan këtë veprim, madje disa u ankuan se nuk ishin njoftuar, përfshi edhe kampionen e botës Cris Cyborg. Ndaj Jon Jones ka dalë para medieve dhe ka kërkuar ndjesë.
“Më vjen keq, e kuptoj se si ndihen fansat e sportistët. Ju lutem, mos lejoni emocionet të përfshihen në këtë çështje, por e vërteta dhe ajo është që unë nuk kam dalë pozitiv. Ne morëm këtë vendim, pasi duam t’u japim fansave këtë duel të madh dhe nuk dëshironim të tërhiqeshim. Zoti lart e di të vërtetën dhe do të jetë krah meje në kafaz”, tha Jon Jones.