Ja shuma marramendëse që Nate Diaz kërkon për të dueluar ndaj Tyron Woodley
Nate Diaz, një nga ikonat dhe veteranët e arteve marciale mikse, ka bërë me dije sot se është gati të përballet me Tyron Woodley në kafaz në eventin e UFC-219, që zhvillohet më 30 dhjetor në Las Vegas, por ka një kërkesë. Ai kërkon 15 milionë dollarë nga UFC-ja në mënyrë që të rikthehet në “octagon” këtë fundvit, shumë që është gjysma e asaj që Diaz pat kërkuar për një përballje të tretë me Conor McGregor. “Woodley nuk ka famën e Conor, ndaj dhe oferta është më e ulët”, tha Nate Diaz për mediat. Një shumë tepër e lartë si për Woodley ashtu dhe për UFC-në, ndaj dhe gjasat që kjo përballje të zhvillohet janë të pakta.
“UFC-ja nuk ka ndërmend të paguajë këtë shumë për këtë duel, nuk dëshiron të japë Nate këtë shifër. Por harrojnë se ai është një yll dhe mund ta nxjerrë UFC-na nga halli, pasi nuk ka një duel të madh për UFC-219. Woodley nuk është ikona që ata shpresojnë. Tashmë për Nate nuk ka më rëndësi titulli kampion, ai do të duelojë vetëm për parà. Nuk ka vlerë që UFC-ja të arkëtojë shumë parà nga dueli i Diaz dhe sportisti të kënaqet me thërrime”, tha Richard Perez, trajneri i boksit të Nate Diaz. Dy sportistët janë gati të sfidojnë njëri-tjetrin në kafaz, por pengesa më e madhe është marrëveshja financiare me UFC-në.