Ish-kampionia e botës i shpëton për mrekulli rrëmbimit nga rebelët në Ugandë
Ish-kampionia e botës në artet marciale mikse, Cris Cyborg, e kthyer ditët e fundit nga Uganda, ka rrëfyer se është një mrekulli që nuk është rrëmbyer nga disa rebelë gjatë një shkëmbimi zjarri në këtë shtet pak ditë më parë. Ndërkohë që, një turist amerikan që ishte pranë saj u rrëmbye.
Kampionia braziliane e kafazit ka qenë në Ugandë këtë javë në një fushatë sensibilizimi për ndërtimin e disa puseve të ujit për zonat në nevojë. Ajo ndodhej bashkë me një tjetër sportist të UFC-së, Justin Wren.
“Gjatë udhëtimit mësuam së pak minuta më parë kishte patur një shkëmbim zjarri dhe ishin rrëmbyer një turist amerikan dhe udhërrëfyesi i tij. U tmerruam dhe kishim frikë”, tha Cyborg. Ngjarja ka ndodhur të martën në Parkun Kombëtar të Ugandës dhe rebelët kërkonin 500 mijë dollarë shpërblim për t’i liruar.
“Për fat të mirë ata u liruan të nesërmen, por paniku ishte i madh. Pak minuta më herët dhe mund të isha rrëmbyer unë. Ne i dëgjuam krismat dhe ulërimat. Unë isha shumë afër me personin që u rrëmbye”, tha Cyborg, që u largua nga Uganda të nesërmen e asaj ngjarje.