Golovkin harron përballjen me Alvarez, në mars duel ndaj Murata
Boksieri kazak Gennady Golovkin, ish-kampioni i botës në peshën e mesme, që në shtator humbi titujt e këtij Divizioni pas revanshit ndaj Saul “Canelo” Alvarez, synon të rikthehet në ring në muajt mars-prill të 2019-ës. Por në mendjen e tij nuk është sfida e tretë ndaj rivalit meksikan, por ajo ndaj kampionit tjetër të botës në peshën e mesme, japonezi Ryota Murata. Dhe, me shumë gjasa, kjo përballje mes tyre do të zhvillohet në Tokio të Japonisë, në shtëpinë e kampionit të botës.
Tom Loeffler, promotori i Golovkin, u shpreh: “Gennady gjithnjë ka pëlqyer të udhëtojë dhe të duelojë anembanë botës, për t’u bërë i njohur kudo. Kjo sfidë ndaj Murata është plotësisht e realizueshme dhe të gjithë e dimë që një duel ndaj “Triple G” sjell shumë parà. Ndërkohë që, edhe Murata ka shumë fansa në Japoni, ku është i famshëm, ndaj ky duel në Tokio është një mundësi e artë për të dy boksierët. Unë besoj se mund të organizojmë shumë shpejt një përballje mes dy boksierëve”.