Golovkin-Alvarez, sfida e tretë në histori më fitimprurëse nga biletat
Përballja e boksit mes Gennady Golovkin dhe Saul “Canelo” Alvarez ka hyrë në listën e 3 përballjeve me të ardhura më të mëdha nga shitja e biletave. Lajmi është konfirmuar sot nga Oscar De La Hoya, promotori i Alvarez, duke thënë se kjo përballje është ndjekur “live” në stadiumin “T-Mobile Arena” të Las Vegasit nga 17,318 persona. Të ardhurat e arkëtuara nga kjo sfidë kanë shifrën e 25 milionë dollarëve, duke qenë sfida e tretë me më shumë të ardhura në boks. Në dy vendet e para janë dy përballjet e Floyd Mayweather, ajo ndaj Manny Pacquiao (60 milionë dollarë) dhe ndaj Conor McGregor (50 milionë dollarë).
Duket qartë që puna e bërë për të promovuar këtë sfidë ka qenë shumë e mirë, por për menaxherët ka qenë e lehtë kjo detyrë, duke qenë se përballë njëri-tjetrit ishin dy nga boksierët më të mirë të peshës së mesme. Kjo sfidë u mbyll në barazim, pasi një nga gjyqtarët ia dha fitoren Golovkin (115-113), njëri Alvarez (118-110) dhe njëri barazim (114-114). “Ky është barazimi më fitimprurës në historinë e sportit”, tha De La Hoya, që ka nisur nga puna për revanshin. Për Golovkin ky ishte barazimi i parë në karrierë pas 37 fitoresh, ndërsa për Alvarez barazimi i dytë.