Fury thumbon Joshua: Nuk është Muhammad Ali, së shpejti bie “KO”
Boksieri britanik Tyson Fury ka konfirmuar sërish sot ambicjet e tij për t’u rikthyer në ring vitin e ardhshëm, ku synon të përballet me kampionin aktual të botës në peshat e rënda, patriotin e tij Anthony Joshua. Por Joshua duket se do të duelojë fillimisht me neo-zelandezin Joseph Parker, një duel mes dy boksierësh të pamposhtur, që për Fury mund të nxjerrë fitues Parker. “I ka të gjitha mundësitë për ta mundur Joshua, është i fortë si shkëmb, është i ri dhe me ambicje dhe askush nuk e pret që ai të triumfojë, ndaj nuk ka presion mbi vete”, u shopreh sot Tyson Fury.
Më tej, ish-kampioni i botës, shtoi: “Ne e pamë edhe ndaj Klitschko që Joshua rrezikoi shumë dhe iu drodhën këmbët në ring. Për mua kjo është një ndeshje pa favoritë. Nëse Parker fiton mund të bëhet një legjendë, por në fund do të përballet me mua dhe do t’i jap një leksion të mirë”. Tyson Fury kërkon të paralajmërojë patriotin e tij për rivalët e radhës, duke i thënë të ketë kujdes. “Joshua nuk është Ali, madje unë parashikoj se ai do të rrëzohet në tapet shumë shpejt, ndaj nuk duhen muskujt për të qenë kampion”, tha Fury, që ashtu si Joshua, Wilder e Parker është i pamposhtur në ring, pasi i ka fituar të 25 duelet e tij si profesionist.