Fury: Jam i pamposhtur, ndaj jam një shënjestër për rivalët e mi
Boksieri britanik po kryen përgatitjet e fundit për duelin e 18 gushtit, kur në Belfast do të duelojë ndaj italianin Francesco Pianeta. Kjo sfidë do të jetë testi i fundit për boksierin britanik në prag të duelit të madh ndaj Deontay Wilder, përballje që me shumë gjasa do të zhvillohet në nëntor ose dhjetor të këtij viti. “Të gjithë ata që duelojnë ndaj meje duan fitoren pasi jam i pamposhtur. Jam gjithnjë një shënjestër për rivalët”, tha Fury.
Duke folur për rivalin e tij, ish-kampioni i botës shton: “Ka qenë i fortë, shumë i fortë dhe për mua është një rival i vështirë. Ishte i fortë vite më parë, kur duelonte për titullin ndaj Klitschko dhe Chagaev”, tha Fury, që e njeh mirë Pianeta, pasi vite më parë janë stërvitur mes tyre. Por Fury e sheh këtë sfidë si një provë gjenerale para sfidës me Wilder.
Fury, 26 fitore e asnjë humbje si profesionist nuk i pëlqen fjalët e njerëzve, që e konsiderojnë favorit. “Kjo sfidë është më e vështirë se ajo ndaj Seferit. Jam përgatitur mirë, kam qenë në palestër për një kohë të gjatë dhe thuajse nuk kam pushuar fare nga duel i fundit (9 qershor). Koha fluturon, por asnjëherë më parë nuk kam qenë kaq i lumtur me rutinën e fazës përgatitore”, tha boksieri britanik.