Fury drejt rikthimit, boksieri duhet të caktojë një datë për të dalë para komisionit
Rikthimi i Tyson Fury në ring ka njohur sot një zhvillim të ri, teksa avokatët e tij duhet të caktojnë një datë për të zhvilluar një takim mes Këshillit Britanik të Boksit (BBBofC) dhe vetë sportistit për të parë nëse ky i fundit është gati për t’u rikthyer në ring. Ky takim do të bëhet para se Antidopingu Britanik (UKAD) të marrë një vendim për rikthimin në ring të ish-kampionit të botës në peshat e rënda. Ka qenë shefi i BBBofC, Robert Smith, që ka thënë se ky Këshill synon që Fury të jetë 100% i rikuperuar nga problemet që ka patur para se të marrë “OK” përfundimtar për t’u rikthyer aktiv në ring. Fury-t i është hequr licensa për boksim dhe ka aplikuar për ta rimarrë atë dhe kthyer në ring.
“Avokatët e Fury duhet të caktojnë një datë për t’u takuar dhe dëgjuar nga afër boksierin, në mënyrë që ne të marrim një vendim. Edhe ne duam që kjo çështje të përfundojë, por tashmë boksieri dhe avokatët e tij duhet të na kthejnë një përgjigje për një datë. Ne jemi gati të marrim një vendim për të mirën e Fury. Ne jemi të gjithë gati, edhe UKAD edhe paneli i pavarur dhe presim vetëm një datë”, tha Smith për “Sky Sports”. Tyson Fury iu hoq një vit më parë licensa për boksim pasi doli pozitiv dhe deklaroi se ishte i dërrmuar psikologjikisht, duke hequr dorë edhe nga titujt kampionë bote të peshave të rënda (anulloi dy herë revanshin me Klitschko).