
“Fitorja ndaj Malignaggi është meritë e McGregor”
Artem Lobov ka deklaruar se për të mposhtur Paulie Malignaggi në eventin Bare Knuckle FC6, zhvilluar ditën e diel në Florida, është stërvitur me Conor McGregor. Të gjithë e dinë për miqësinë e fortë që Lobov ka me irlandezin e arteve marcale mikse.
McGregor, para duelit të parë dhe të vetëm në boks ndaj Floyd Mayweather, është stërvitur me Malignaggi, ndaj e njihte mirë ish-boksierin. Për këtë arsye, irlandezi i ka dhënë disa këshilla Lobov, të cilat i vlejtën në këtë fitore.
“Ne kemi biseduar para kësaj sfide. Gjithnjë në stërvitemi dhe diskutojmë për strategjitë. Kjo këshillë e tij ka qenë një ndihmë për mua dhe kështu ndërtuam strategjinë dhe fituam. Ndaj, kjo fitore ndaj Paulie është edhe meritë e Conor, që e falënderoj”, tha Artem Lobov.