Dy herë kampion Europe, Ervis Bici gati për duel në Shqipëri
May 5, 2021
0 comments
Share

Dy herë kampion Europe, Ervis Bici gati për duel në Shqipëri

Me 2 tituj kampion Europe dhe 4 tituj kampion Italie në Muay Thai, Ervis Bici është një prej sportistëve më të suksesshëm shqiptarë të arteve marciale. Ndonëse prej më shumë se 20 vitesh jeton në Itali, Bici ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, pasi nuk ndahet dot nga simbolet kuqezi.

 

39-vjeçari nga Durrësi, i cili së fundmi është rikthyer në atdhe për të rindërtuar palestrën e dëmtuar nga tërmeti i 2019-ës tregon për “Panorama Sport” fillimet e tij në Muay Thai: “Në moshën 33-vjeçare humba babanë. Për të luftuar dhimbjen u regjistrova në një palestër MMA, ku mbas disa muajsh stërvitje, zhvillova ndeshje rruge në Breshia të Italisë. 2 ndeshje i fitova me KO, por ndeshjet ishin shumë e forta, ku theva një pjesë nga kocka e mollëzës, ndërsa bashkë me kundërshtarin përfunduam në spital. Por, për të arritur atë çfarë dëshiron duhet të stërvitesh fort dhe ta duash sportin me zemër”, thotë Bici duke rrëfyer vështirësitë e fillimit. “Shqiponja e Zezë”, më pas tregon se nuk i ka ndarë kurrë nga simbolet e Shqipërisë: “Italia më ka pritur gjithmonë mirë dhe italianët janë humanë si popull. Jam përpjekur t’i tregoj gjithë botës që ne shqiptarët kemi kulturë, në ring ngjitem me muzikën e Elez Isufit dhe me flamurin më të bukur në botë. Megjithatë, italianët kanë favorizuar sportistët e tyre. Unë iu kam treguar që ne shqiptarët nuk jemi të fortë vetëm në rrugë, por dhe në ring të shqepim në dru”.

Me tej Bici tregon një episod të veçantë në një prej sfidave të tij përtej Adriatikut: “Një duel për titull Italie ka qenë nga më të ashprit, por arrita ta fitoj me meritë. Mbetet më i veçanti sepse gjyqtarët më dhanë fitoren unanim, por presidenti i federatës ‘FIMT’ i kaloi gjerdanin kundërshtarit, duke bërë padrejtësi ashiqare publikut. Kështu që edhe sporti ka anën e tij të errët”. 39- vjeçari nga fshati Armathë i Durrësit tregon se është stërvitur nga legjenda e Muay Thait, Sak Kaoponlek: “Fati im i mirë është që stërvitem me 2 trajnerë, me kushëririn Ermirian Bici që më mësoj Muay Thain dhe me legjendën tailandeze, 7 herë kampionin e botës Sak Kaoponlek, cilësuar sportisti më i mirë i të gjitha kohërave”.

Bici, i cili eventet e tij i ka shfrytëzuar për bamirësi, prej kohësh punon edhe me talentet e reja në vendin tonë: “Në Shqipëri kam organizuar disa evente sportive. Kam hapur një palestër që ndodhet në Gjirin e Lalzit. Palestra ‘Black Eagle Gym’, shqiponja e zezë që është nofka ime. Kam zbuluar shumë talente në qytete të ndryshme, djem dhe vajza. Shqipëria është një fabrikë talentesh. Kam zgjedhur disa elementë, të cilët i kam dërguar në Itali dhe Francë të ndeshen, ku dhe kanë triumfuar”. Në fund Ervis Bici flet për duelin e radhës: “Në gusht do të organizoj një event në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Dëshira është të realizoj duelin e kthimit me anglezin Khris Melhuish, me të cilin para një viti humba ndeshjen për titull Europe ‘WBC’. Tani jam në pritje të një vendimi nga federata më e rëndësishme në botë ‘WBC’. Edhe pse 39 vjeç jam akoma shumë aktiv dhe në formë”, përfundoi Bici, i cili në 21 duele, regjistron 18 fitore dhe vetëm 3 humbje.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *