“David Haye do të jetë gati për revanshin ndaj Tony Bellew”
“David Haye do të ketë rikuperuar dëmtimin dhe do të jetë në 100% të formës në revanshin që do të zhvillojë më 5 maj në Londër ndaj Tony Bellew”. Kështu ka deklaruar sot promotori Eddie Hearn, që beson se këtë herë revanshi mes dy boksierëve britanikë, që do të zhvillohet në “O2 Arena” të Londrës, nuk do të shtyhet si herën e parë. Kjo përballje ishte planifikuar për t’u zhvilluar në dhjetor të vitit të kaluar, por Haye u dëmtua në krah dhe palët ranë dakord që sfida të zhvillohet në maj të këtij viti.
Bellew e fitoi sfidën e parë ndaj Haye me “KO teknik”, duel i zhvilluar në mars të 2017-ës dhe synon që të njëjtin rezultat të përsëritë edhe në këtë revansh. Por Hearn, që është promotori i 37-vjeçarit Haye, beson se ish-kampioni i botës në peshat e rënda këtë herë do të tregojë se sa vlen. “E kam parë ndryshe Haye ditët e fundit dhe stërvitja në Los Anxhelos po shkon mjaft mirë. Ai synon të rikthehet fitues dhe kampion, të zhvillojë duele të mëdha. Kjo përballje është një test i madh për të dhe e pres në 100% të formës”, tha Hearn.