Dana White: Mayweather refuzoi një konferencë në Dublin
Presidenti i UFC-së, Dana White, ka deklaruar sot pas përfundimit të turit 4-ditor promovues së duelit të 26 gushtit mes Floyd Mayweather dhe Conor McGregor se boksieri amerikan refuzoi të bënte edhe një konferencë te pestë, në Dublin, në vendlindjen e irlandezit. Turi u zhvillua në Los Anxhelos, Toronto, Nju Jork dhe Londër, por McGregor dëshironte një konferencë edhe para fansave të tij, në vendlindjen e tij, në Dublin, ashtu sikurse pat ndodhur para duelit me Jose Aldo, në vitin 2015.
“Ne e dëshironim këtë tur, dëshironim të shkonim edhe në teksas dhe Dublin, pasi do të kishte rëndësi të dilnin edhe në vendlindjen e dy sportistëve. Por Floyd refuzoi kategorikisht që ne të shkonim në Irlandë. Edhe Londra ishte një territor armik për boksierin amerikan, imagjinojeni atë në Dublin. Ndoshta edhe unë ashtu do të bëja po të isha në vendin e tij, ndaj nuk e shaj apo akuzoj për këtë gjë”, u shpreh presidenti i UFC-së, Dana White, që gjatë këtyre 4 ditëve ka qenë krahu i djathtë i McGregor në të gjitha konferencat për shtyp.