Dana White konfirmon: Ortega do të duelojë për titullin ndaj Holloway
Pas paraqitjes së shkëlqyer të Brian Ortega në eventin e UFC-222, kur mundi me KO në raundin e parë Frankie Edgar në peshën “feratherweight” (pesha pupël), presidenti i UFC-së, Dana White, ka deklaruar se ai është gati për një duel të madh. Për një duel që mund t’i japë titullin kampion në këtë peshë ndaj kampionit në fuqi Max Holloway. Ortega zuri pikërisht vendin e Holloway në këtë event pasi ky u fundit u dëmtua dhe befasoi të gjithë, duke i shkaktuar humbjen e parë me KO një veterani si Edgar. Kjo fitore i dha famë 27-vjeçarit Ortega, që në artet marciale mikse nuk ka asnjë humbje në karrierën e tij (14 fitore dhe një ndeshje pa rezultat).
Numri 1 i arteve marciale mikse, pas eventit UFC-222 konfirmoi se Ortega do të përballet pikërisht me Holloway në sfidën e radhës, e cila do të zhvillohet sapo Max të rikuperojë nga dëmtimi dhe të jetë në 100% të formës. “Fakt është që tani kemi një kandidat për titullin kampion kampion dhe ai është Ortega, që do të duelojë ndaj kampionit në fuqi, Holloway. Personalisht mezi e pres këtë përballje. Ortega është një kampion i jashtëzakonshëm dhe këtë gjë e tregoi në kafaz ndaj Edgar. Ai djalë është një supertalent dhe ka një personalitet të jashtëzakonshëm”, tha Dana White. Gjasat janë që kjo sfidë mes Ortega dhe Holloway të zhvillohet në eventin e UFC-226, më 7 korrik. në Las Vegas.