Dana White: Boksi mund të kalojë në varësinë e UFC-së
Presidenti i UFC-së, Dana White, ka befasuar të gjithë sot kur në një deklaratë ka thënë se një ditë boksi mund të jetë pjesë e UFC-së dhe të jetë ky i fundit ai që do të promovojë sportin e dorezave. Kjo përgjigje e numrit 1 të arteve marciale mikse erdhi kur ai u pyet nëse një ditë do të linte UFC-në për boksin. White deklaroi se preferon të qëndrojë aty ku është, duke futur edhe boksin nën “ombrellën” e UFC-së. “Unë mendoj se mund të fusim sportin e boksit nën ombrellën e UFC-së dhe më pas të shohim se si ta promovojmë më shumë këtë sport. Unë mendoj se mund ta realizojmë këtë marrëveshje”, u shpreh Dana White.
Duket se ky bashkëpunim i madh mes dy sporteve luftarake erdhi pas duelit të 26 gushtit, kur kampioni i pamposhtur i boksit Floyd Mayweather duloi dhe fitoi ndaj ikonës së arteve marciale mikse Conor McGregor. Kjo sfidë bashkoi për herë të parë ringun me kafazin, por që mund të pasohet nga shumë përballje të tjera. UFC-ja ishte promovuesi zyrtar i atij eventi, së bashku me “Mayweather Promotions”. Dana White ishte personi që e bëri të famshëm sportin e arteve marciale mikse, që u shit një vit më parë nga vëllezërit Fertitta për vlerën e 4 miliardë dollarëve të pronarët e rinj. “Edhe unë jam pronar në UFC, ndaj nuk mund të punoj për një sport tjetër”, tha White.