Cyborg luftë me UFC: Po më trajtojnë keq dhe paguajnë pak
Sportistja e arteve marciale mikse Cris Cyborg nuk ka patur asnjëherë një marrëdhënie të mirë me drejtuesit e UFC-së, madje edhe tani që ka fituar titullin kampion bote të peshës pupël. Një marrëdhënie mes polemikash që ka nisur që në vitin 2015, kur UFC nënshkroi një marrëveshje me sportistin, duke e detyruar që të duelojë vetëm në Invicta FC, duke u përpjekur që të ulet në peshë për të zhvilluar në fund një duel me Ronda Rousey. Por edhe më pas ajo nuk është trajtuar ashtu si duhet nga UFC-ja, që vetëm këtë vit id ha mundësinë të duelojë për titullin kampion, duke fituar ndaj Tonya Evinger.
Në një postim në faqen e saj zyrtare në “Twitter”, kampionia braziliane e arteve marciale mikse ka deklaruar se ajo ka patur në axhendë një takim javën e ardshme me drejtuesit e UFC-së, por ky takim është anulluar. Cyborg ka treguar edhe arsyen e këtij anullimi të takimit dhe se përse ka rinisur lufta e fortë mes palëve. “Takimi im javën e ardhshme me UFC-në është anulluar. Ata duan që të më paguajnë më pak në sfidën e radhës që do të zhvilloj ndaj Holly Holm, më pak se sa fitova nga dueli me Tonya Evinger”, ka thënë Cyborg. Nuk dihet nëse kjo është e vërtetë, por braziliania tani është e kërkuar në UFC.