Cyborg-Holm planifikohet për UFC-219, Dana White: Së shpejti e zyrtarizojmë
Situata e Cris Cyborg, kampiones së botës në peshën “pupël” në artet marciale mikse vazhdon të jetë e paqartë, por presidenti i UFC-së, Dana White, shprehet se së shpejti do të japë lajmin e sfidës së saj të radhës. Që me shumë gjasa do të jetë ajo ndaj ish-kampiones së botës, Holly Holm. Sfida e fundit e Cyborg në kafaz është zhvilluar në korrik, në UFC-214, kur fitoi titullin kampion bote, në përballjen ndaj Tonya Evinger, në raundin e tretë. Në atë përballje ajo fitoi titullin kampion bote që ishte vakant dhe i kërkoi UFC-së që të duelojë një ikonë tjetër të këtij sporti, si Holly Holm.
Me shumë gjasa, sfida mes këtyre dy sportisteve do të zhvillohet në UFC-219, më 30 dhjetor, por kampionia braziliane ka ende shumë gjëra për të sqaruar me drejtuesit e UFC –së, me të cilët nuk ka një marrëdhënie të mirë. Dana White tha se ende asgjë nuk është e sigurt, por shtoi se: “Mendoj se do ta realizojmë atë përballje. Ende nuk është e konfirmuar dhe nuk mund të parashikoj asgjë, por mendoj se së shpejti do të arrijmë marrëveshjen. Së shpejti”, ka qenë komenti i Dana White, presidenti i UFC-së. Sfida e fundit e Holm është zhvilluar në qershor të këtij viti, kur mundi Bethe Correia.