Cormier: Pas duelit me Lesnar do të tërhiqem nga sporti
Daniel Cormier, kampion bote në artet marciale mikse në sdy pesha të ndryshme, atë të rëndë dhe “light heavyweight” ka deklaruar sot se karriera e tij është drejt fundit. Madje ka shtuar se përballja që do t’i vërë kap karrierës së tij në UFC është ajo ndaj Brock Lesnar. Cormier fitoi 10 ditë më parë, në eventin e UFC-226, titullin kampion bote në peshën e rëndë pas fitores me “KO” ndaj Stipe Miocic, duke u bërë kampion i dy divizioneve. Por ai dëshiron ta mbyllë karrierën me një përballje të madhe si ajo ndaj lesnar, që më shumë gjasa do të zhvillohet vitin tjetër.
“Sfida ndaj Brock do të jetë e fundit për mua në kafaz dhe ajo do të jetë në peshën e rëndë. Unë kam dy tituj për të mbrojtur dhe po mendoj që fillimisht të dueloj në peshën “light heavyweight” dhe më pas në atë të rëndë. Unë nuk e di se kush do të jetë rivali im i radhës, ndoshta Shogun, ndoshta Gustafsson, nuk e di”, u shpreh Cormier. Në fund të duelit me Miocic, ishte vetë Cormier ai që ftoi në kafaz Lesnar, duke pranuar se dëshironte ta mbronte ndaj atij titullin kampion, sfidë që mund të organizohet në mars të 2019-ës.