Cormier kërcënon Lewis: S’do të kem mëshirë ndaj tij në kafaz
Më datën 3 nëntor, në Nju Jork do të zhvillohet eventi UFC-230, ku sfida kryesore do të jetë ajo për titullin kampion bote në peshën e rëndë mes kampionit Daniel Cormier dhe sfidantit Derrick Lewis. Kjo do të jetë hera e parë për Cormier që do të mbrojë titullin e këtij Divizioni, që e pat fituar ndaj Miocic, ndërkohë që Lewis rikthehet në kafaz vetëm një muaj pas fitores në UFC-229.
Duke folur për mediat, Cormier tha: “Është një sfidë e vështirë, pasi Derrick ka arritur shumë suksese në kafaz. Nuk jam aspak surprizuar nga rezultatet e tij, pasi është një luftëtar i fortë. Unë e respektoj, por nuk kam aspak frikë nga ai”.
“Nuk kam për ta lënë që të marrë titullin kampion. Ndaj tij nuk do të kem aspak mëshirë në kafaz dhe do t’i tregoj se kush është kampioni. Atij do t’i duhet shumë punë për të më mundur, ndërkohë që do t’i tregoj forcën e grushtit tim”, tha Cormier, 21 fitore, 1 humbje e 1 duel pa rezultat në UFC. Ndërsa Derrick Lewis numëron 21 fitore, 5 humbje dhe një ndeshje barazim.