Cormier: Do ta mbroj titullin, Lewis nuk e ka kuptuar ende që do humbasë
Daniel Cormier është i bindur se do ta mbrojë titullin kampion bote të peshës së rëndë ndaj Derrick Lewis, duel që do të zhvillohet më 3 nëntor, në evendin UFC-230, i cili do to organizohet në Nju Jork. “Nga 10 duele që mund të zhvillojmë ndaj njëri-tjetrit unë do të dal fitues në 9 prej tyre. Më vjen keq për Lewis që nuk e kupton se e ka të humbur këtë sfidë”, u shpreh Cormier, 21 fitore, 1 humbje dhe një ndeshje pa rezultat.
Sportisti 39-vjeçar mendon se do ta ketë të lehtë të fitojë ndaj “bishës së zezë “ (The Black Beast), siç konsiderohet Lewis, që vjen nga triumfin në UFC-229 një muaj më parë dhe nuk ka patur shumë kohë të përgatitet. “Në këtë sport mund të ndodhë gjithçka, por jam në formë dhe gati për këtë sfidë. Ky është një titull që e mbroj për herë të parë, por jam gati për çdo sakrificë”, tha Cormier, që vjen pas triumfit ndaj Stipe Miocic, në korrik.