Boksi në dorë të Donjetës
July 19, 2017
0 comments
Share

Boksi në dorë të Donjetës

Derisa boksierët deri më tani nuk i kanë përmbushur as për së afërmi pritjet, Kosova i ka kthyer shpresat tek një vajzë. Ajo është Donjeta Sadiku, e cila me medaljet që po i fiton në arenën ndërkombëtare është bërë një emër i madh i sportit kosovar. Tashmë kur Kosovës i kanë ikur edhe ata pak boksierë cilësorë që i kishte, krejt vëmendja është kthyer kah Donjeta, e cila fillimisht synon titullin botëror në muajin nëntor. Ndërsa, objektiv jetësor e ka medaljen olimpike në olimpiadën “Tokio 2020”

Kosova ishte mburrur para luftës me boksierë të klasit botëror si Aziz Salihu, Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Nazif Gashi etj.

Mirëpo, pas luftës ky sport luftarak ishte nën hije të sporteve tjera dhe asnjëherë nuk arriti ta nxjerrë një boksier kulminant.

Madje, edhe ata që ishin viteve të fundit, të dëshpëruar me kushtet e mjerueshme, e morën rrugën drejt Perëndimit, duke mos parë më perspektivë në vendin tonë.

Por, kush do ta mendonte që një femër do ta bëjë këtë sport burrash që të mburret? Donjeta Sadiku ia ka zbardhur fytyrën boksit kosovar me sukseset që i ka arritur ndër vite në arenën ndërkombëtare.

Ajo po shkon me hapa të shpejt drejt majës dhe është boksiere e respektueshme dhe e famshme botërore. Madje, është nënkampione botërore për të reja, si dhe kampione dhe nënkampione evropiane në të njëjtat grupmosha.

Ajo është njëra prej sportisteve më të suksesshme në Kosovën e pasluftës, krahas Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit etj.

Mirëpo, sukseset e arritura deri tash nuk e kanë ngopur boksieren nga Gollaku.

Ajo po punon intensivisht me trajnerin e saj, Besim Brahimi dhe bashkërisht sytë i kanë fokusuar kah olimpiada “Tokyo 2020”, ku synojnë ta pasurojnë vitrinën e Kosovës me një tjetër medalje olimpike, duke ia bashkangjitur asaj të Majlinda Kelmendit, që e mori në Olimpiadën e Rios, vitin e kaluar.

“Unë me Donjetën në vitin 2020 do t’i sjellim medalje olimpike Kosovës. Jemi duke punuar në këtë drejtim”, është shprehur për “Zërin” trajneri Brahimi.

Gjithashtu ai pret edhe suksese tjera me klubin e tij të boksit, Gollaku.

“Pres që edhe me disa sportistë të KB Gollakut të marrim medalje tjera. Pres shumë nga Patriot Behrami, Besart Pireva, Luan Demaj, Luar Aliu dhe vëllezërit Bajoku, që i kam në klubin tim”, ka vazhduar ai.

Edhe vetë Donjeta nuk e ka fshehur dëshirën dhe synimin e saj për t’ia sjellë vendit të saj medaljen olimpike, krahas sukseseve në evenimentet tjera të rëndësishme si Kampionati Botëror apo edhe ai Evropian.

Selimi: Shpresat, te Donjeta

Edhe kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, shprehet optimist se Sadiku mund të fitojë medalje olimpike pas tre vjetësh, nëse e vazhdon zhvillimin e hovshëm me këtë ritëm.

Megjithatë, ai beson se edhe boksierë të tjerë kosovarë do të marrin pjesë në Olimpiadën e Tokios, nga të cilët po ashtu pret të kenë paraqitje pozitive.

“Shpresoj shumë në medalje olimpike, shpresat kryesore i kemi tek Donjeta Sadiku. Unë besoj se ajo do të kualifikohet dhe ishalla e ka shëndetin dhe të mos e ketë ndonjë lëndim të mundshëm. Se përndryshe Donjeta Sadiku është potenciali kryesor, por do të kemi edhe boksierë të tjerë, të cilët janë në planin strategjik të Federatës. Ne jemi duke u përgatitur rreth pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike. Gjithsesi, nëse Donjeta vazhdon në këtë rrugë, pa dyshim se do të na sjellë medalje”, është shprehur për gazetën kreu i boksit kosovar.

Federata e Boksit të Kosovës synon që në Olimpiadën e Tokyos të paraqitet me 2-3 boksierë, pasi në “Rio 2016” boksierët e këtushëm dështuan ta siguronin normën olimpike.

Ndryshe, tradicionalisht boksi njihet si sporti me potencialin më të madh në Kosovë.

Por, kushtet e vështira ua kanë mohuar boksierëve ta shpalosin talentin. Tash, ky sport luftarak dhe burrash fokusin dhe shpresat i ka tek një femër… /Zëri/

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *