Bisping synon ta mbyllë me lavdi karrierën me një përballje të tretë ndaj Rockhold
Tahsmë nuk është më një sekret që Michael Bisping është pranë tërheqjes nga sporti i arteve marciale mikse. Ish-kampioni i botës në peshën e mesme në UFC ka festuar sot 39-vjetorin e lindjes dhe me moshën që bën të vetën, ai është në kërkim edhe të një sfide të fundit para se t’i thotë “lamtumirë” sportit. Një duel që ta rikthejë te fitorja pas dy humbjeve të fundit. Dhe një përballje ndaj Luke Rockhold mund të jetë sfida e duhur për ta mbyllur karrierën, pasi dy sportistët kanë dueluar edhe dy herë të tjera më parë dhe rezultati është në barazim 1-1.
Rockhold ka fituar me “submission” sfidën e parë, atë të UFC Fight Night në vitin 2014, por Bisping u hakmorr, duke fituar më KO përballjen e dytë, atë të UFC-199, zhvilluar në vitin 2016. Gjatë një interviste të fundit, Bisping ka pranuar se është gati për një përballje të tretë ndaj Rockhold, duke premtuar fitoren. “Nëse ai shkërdhatë është gati të bjerë në peshë, sigurisht që mund ta zhvillojmë duelin. Nuk e kam problem ta mund sërish, pasi e kam mundur një herë. Do t’ia marr shpirtin, ashtu si herën e fundit”, u shpreh Bisping.