Bellew: Usyk nuk më tremb, gjithnjë e gjej një rrugë drejt fitores
Boksieri britanik Tony Bellew përgatitet për duelin që do të zhvillojë më 10 nëntor ndaj ukrainasit Oleksander Usyk, sfidë e vlefshme për titullin kampion botë ne peshën “cruiserweight”. Usyk mban titujt e kategorive WBA, WBC, IBF dhe WBO të këtij Divizioni, ky është kampion bote i padiskutueshëm (15 fitore e asnjë humbje). Dy boksierët janë takuar në “Wembley”, duke zhvilluar takimin e parë “face to face” (ballë për ballë), me ukrainasin që konsiderohet favorit karshi britanikut (30 fitore, 2 humbje e 1 barazim për Bellew).
Pavarësisht shifrave të frikshme të Usyk, boksieri britanik u shpreh se nuk ka aspak frikë. “Nuk më tremb as ai e asnjë tjetër. Usyk është në kulmin e karrierës së tij, por kjo gjë nuk më frikëson aspak. Ai mund të përpiqet të më vërë nën presion me çdo mënyrë, por kjo situatë nuk më shqetëson. Ai gabon nëse mendon se do ta fitojë duelin duke më kërcënuar. Unë jam gjetur edhe më parë në vështirësi, me boksierë të fortë, por gjithnjë kam ditur të gjej një rrugë për të fituar dhe kështu ka për të ndodhur edhe ndaj Usyk”, tha Bellew.