Boksieri britanik Tony Bellew ka premtuar se do ta “çmontojë” tërësisht ukrainasin Oleksandr Usyk, në duelin për titullin kampion bote të peshës “cruiserweight”, që dy boksierët do të zhvillojnë më 10 nëntor në Manchester. Usyk, i pamposhtur në karrierën e tij (15 fitore e asnjë humbje) do të mbrojë titujt e këtij Divizioni në kategoritë WBA, WBC, IBF dhe WBO në këtë sfidë ndaj Bellew dhe konsiderohet favorit.
“Nga të gjithë boksierët që ai është përballur në karrierën e tij, unë jam i vetmi që e kam parë në sy. Nuk kam aspak frikë. Unë jam 100% i bindur se do ta mposht, do ta ndaj në dy pjesë. Ai ka fituar gjithnjë, pasi rivalët e tij nuk kanë besuar kurrë se do ta mundim, ndërsa unë besoj si i çmendur te fitorja”, tha 35-vjeçari Tony Bellew, 30 fitore, 2 humbje e një barazim në karrierën e tij.
“Unë kam më shumë fitore me “KO” se sa Usyk duele të zhvilluara. Kur ai ishte kampion bote në boksin amator apo kampion olimpik, unë kam qenë kampion bote, madje kampion i padiskutueshëm. Janë disa gjëra që ndikojnë në këto përballje, Usyk nuk ka përvojën e duhur në duele të tilla”, deklaroi Bellew.