Azra Curri braktis karatenë, fajtor Federata e Maqedonisë
Gjëra të çuditshme po ndodhin kohën e fundit në Federatën e karatesë së Maqedonisë edhe atë në prag të Kampionatit Botërorë për kadetë, junior dhe junior deri në 21 vjeç, që do të mbahet në Tenerife të Spanjës (25 deri 29 tetor). Ky institucion sportiv pas mbledhjes së fundit,ka marrë vendime befasuese ku kampionia, Azra Curri, është lënë jashtë KB, dhe kjo ka bërë që prindi i saj të frustrohet aq shumë saqë ka vendos madje edhe që vajza e tij të tërhiqet nga karateja.
“Ne bëmë çmos që Azra të arrijë deri në Kampionatin Botëror, për këtë investuam shumë, deri në 10 mijë euro. Mirëpo, për fat të keq edhe pse ishte kampione në kampionatin shtetëror të fundit ajo u refuzuar të merr pjesë në Spanjë kinse nuk u plotësuan disa kushte. Ata e bënë rregulloren si deshën vetë”, tha i ati, Muhamet Curri.
Nga ana tjetër, ka reaguar edhe trajneri i saj, Elvir Kurtoviq “Edhe pse është kampione e Maqedonisë dhe më e mira në kategorinë e saj, Federata e Karatesë së Maqedonisë zgjodhi kushte selektive dhe në praktikë duket si i palogjikshëm. Mohimi i pjesëmarrjes në Kampionatin Botëror në Spanjë është një nga shumë dëshmitë se Azra dhe familja e saj vendosën qe pas 12 vitesh karrierë, stërvitje aktive dhe sfida të shumta brenda dhe jashtë Maqedonisë, të largohet nga ky sport”, tha , Kurtanoviq.