Boksieri meksikan Saul “Canelo” Alvarez, kampion i botës në peshën e mesme, ka deklaruar sot se është gati për të zhvilluar revanshin me Floyd Mayweather. Dy boksierët janë përballur edhe më parë mes tyren në shtatorin e vitit 2013, me Mayweather që e fitoi atë sfidë me vendim shumice të gjyqtarëve. Kjo është humbja e vetme e Canelo Alvarez, që ka edhe 50 fitore e 2 barazime.
“Në çdo kohë që Floyd do të dëshirojë të përballet me mua, unë jam gati. Nëse ajo ditë do të vijë, nëse Floyd do të rikthehet sërish në ring, unë do të jem gati. Tani jam një boksier ndryshe, më i pjekur, më i madh, i një niveli tjetër. Për mua ky revansh do të ishte në mundësi e madhe”, u shpreh boksieri meksikan.
“Gjithnjë e kam patur në mendjen time revanshin, por tani që jam kampion bote jam gati për ta zhvilluar atë. Kam më shumë përvojë në ring. Kjo është një sfidë që mund të ndodhë një ditë dhe do të ishte një shans i artë për të dy ne”, tha Saul “Canelo” Alvarez, që më 15 dhjetor do të duelojë ndaj britanikut Rocky Fielding, në peshën super të mesme.