ALKOLI DHE EFEKTET E TIJ NDAJ SHËNDETIT DHE STËRVITJES
November 16, 2018
0 comments
Share

ALKOLI DHE EFEKTET E TIJ NDAJ SHËNDETIT DHE STËRVITJES

Por, sa ndikon alkoli qe konsumojme ne shendetin dhe performancen tone fizike? Le ta shohim:

Alkoli çon në humbjen e ujit duke ulur prodhimin e hormonit anti-diuretik, të quajtur vasopressin. Vasopressini zakonisht vepron tek melçia, duke koncentruar urinën përmes ri-përthithjes së ujit dhe kripërave në trup. Duke qenë se alkoli ul nivelin e vasopressinit, kjo çon në një humbje të madhe të ujërave në trup përmes urinimit. Në fakt, ju më shumë humbisni ujëra përmes urines, sesa merrni prej vetë pijes së alkolit.

Akoma më keq, humbja e ujërave për shkak të alkolit mund të çojë në një humbje tjetër, atë të mineraleve si, magnezit, potasit, kalciumit dhe zinkut, të cilët jo vetëm që janë të rëndësishëm, por janë të përfshira në mirëmbajtjen e balancës së lëngjeve dhe veprimit të nervave dhe muskujve. Këto minerale ndihmojnë gjithashtu në rrahjet e zemrës dhe nëse teprohet me pijen mund të ndodhin aritmi kardiake tepër të rrezikshme.

Disa nga efektet anësore që vijnë si pasojë e përdorimit të alkolit janë:

Lodhja: Alkoli ul nivelin e sheqerit në gjak, si pasojë e nxjerrjes së glukozës jashtë përmes urines.

Sulm i radikaleve të lira: Radikalet e lira janë molekula të rrezikshme të formuara në mëlçi, për shkak të vështirësisë së shpërbërjes së ethanolit. Zakonisht, këto vihen nën shënjestër nga një anti-oksidant i quajtur glutathione, por rezervat e tij mund të jenë mjaft të pakta në momentin që është konsumuar alkol.

Dhimbje koke: Dehidratimi bën që truri të tkurret e të largohet paksa nga kafka. Kjo ndez sensorët e dhimbjes që gjenden në sipërfaqen e trurit tuaj.

Humbje e koordinimit: Të rrëzuarit është një nga gabimet e zakonshme, pasi alkoli prek cerebellum, pjesën e trurit që kontrollon lëvizjet e rregullta e të koordinuara.

Ndikon në metabolizëm: Trupi preferon të djegë alkolin në fillim si “karburant” duke lënë pas të gjitha kaloritë e tjera. Si rezultat, djegia e dhjamrave zvogëlohet dramatikisht sa herë që rrëkëlleni një kokteil. Nga një studim i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition u tregua se konsumimi i 24gr alkol – e barabartë kjo me 2 pije – zvogëlonte metabolizmin me 73%.

Shton shtresat e dhjamit: Edhe fiziku më i forte mund të duket tule-tule nëse vë shtresa dhjami. Konsumi i rregullt i alkolit është një nga rrugët më të shpejta për të shtuar peshë.

Ua bën seancën stërvitore të radhës shumë më të vështirë: Sigurisht, nëse të është bërë koka daulle nga pija e tepërt, efekti do të bjerë padyshim në aktivitetet e ditës tjetër. Por, pija mund të ndikojë negativisht në performancën tuaj aty ku nuk të shkon mendja, si psh, tek cilësia e dobët gjumit, e cila ju bën të ndiheni të qullët dhe të ndërprisni seancën stërvitore. Kjo nuk do të thotë që të ktheheni në çaj-pirës: kërkimet kanë treguar se nëse pihet në mënyrë të moderuar 1-2 pije nuk ndikohet perfomanca sportive. Kështu që, jepi pije një, vetëm mendohu mire para se t’ia fillosh nga e para.

Ndikon në nivelin e testosteronit: Në studimet e bëra është gjetur se personat që janë përdorues të rregullt të alkolit kanë nivel të ulët testosteroni, në krahasim me ata që nuk e konsumojnë. Alkoli jo vetëm ul testosteronin, por rrit edhe estrogjenin, kombinimi hormonal më i keq për të rritur muskujt.

Vetëm 20% e alkolit që ju pini përthithet nga stomaku. Pjesa më e madhe shkon në rrjedhën e gjakut përmes zorrës së hollë. Alkoli është një pjesëmarrës i rëndësishëm në dietën kalorifike te një personi. Një gram alkol përmban 7kcal, ose afërsisht 100-165 kalori për një racion (dhe kjo pa llogaritur pijet mix), për këtë arsye është shumë e rëndësishme që njerëzit ta llogarisin si burim kalorish dhe nëse kanë ndërmend të konsumojnë alkol, atëherë duhet ta bëjnë në bazë të rekomandimeve.

Është e këshillueshme që meshkujt nuk duhet të pijnë rregullisht më shumë se 30-40ml alkol të pastër në ditë dhe femrat jo më shumë se 20-30ml alkol të pastër në ditë.

E kuptojmë që nganjëherë e do robi ta pijë një gotë. Por, përpara se t’i drejtohesh banakut, ki parasysh që nëse e tepron mund të hedhësh poshtë të gjithë punën që ke bërë në palester. Kërkimet kanë treguar që alkoli mund të ndikojë negativisht në rritjen e muskujve si dhe në ngadalësimin e proçesit të rekuperimit post-stërvitje.

Përpara se të dilni për një pije me shoqërinë, sigurohuni që keni ngrënë mire dhe jeni të hidratuar mjaftueshëm. Koha kur pini alkol koha ka rëndësi gjithashtu. Mundohuni të mos pini në ditët që stërviteni. Të stërvitesh mbasdite e pastaj në darkë të shkosh në bar për të pirë nuk është ide e mire, sidomos për muskujt të cilët kanë nevojë për nutriente të mire, pasi janë në fazë rekuperimi e rritjeje.

Pini në ditët që nuk shkoni në palester, por gjithashtu evitoni pijen e tepërt nëse do stërvitesh të nesërmen…të bërit tapë dhe palestra nuk përzihen bashkë.

Për ata që janë të varur nga pija, stërvitja është detoksi më i mire për trupin e tyre, do të jetë vetë-vlerësim, një fizik më i mire, forcë dhe humor më i mire. Nuk është asnjeherë vonë për të lënë një zakon. Ashtu siç është fituar me kohën, ashtu edhe largohet. Varësi të tilla nuk lindin me njeriun.

Oh, dhe mos përfundoni si keta ketu…

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *