AIBA dhe “Tokio 2020”
May 23, 2019
0 comments
Share

AIBA dhe “Tokio 2020”

Sporti i boksit do të jetë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ashtu siç ndodh që prej vitit 1904. Gjithsesi, të gjitha eventet kualifikuese për në Olimpiadë nuk do t’i organizojë Federata Ndërkombëtare e Boksit Amator (AIBA), por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC). Ky i fundit ka vendosur të pezullojë pa afat AIBA-n, duke mos e konsideruar më si anëtare të saj (rishikimi i vendimit do të bëhet pas Olimpiadës).

Ka qenë komiteti ekzekutiv i IOC ai që ka marrë vendimin, duke parë skandalet e fundit që kanë prekur AIBA-n. Komiteti ekzekutiv do t’ia paraqesë këtë vendim sesionit të IOC për miratim, që do të zhvillohet më datat 24-26 qershor, në Lozanë. Ky vendim për të pezulluar Federatën Ndërkombëtare të Boksit Amator erdhi pas akuzave për skandale financiare, që prekin shifrën e 15 milionë eurove.

Jo vetëm kaq, por ky sport është kritikuar ashpër edhe në lidhje me gjykimet aspak profesionale të gjyqtarëve (36 prej tyre janë pezulluar pas Olimpiadës “Rio 2016”). Arsyeja e tretë që solli këtë pezullim është zgjedhja në krye të AIBA-s të uzbekut Gafur Rakhimov, që në Amerikë e konsiderojnë si kriminel të nivelit ndërkombëtar. IOC pat kundërshtuar kandidaturën e tij.

Gjithsesi, boksi do të jetë në Olimpiadë dhe në “Tokio 2020” do të marrin pjesë 286 boksierë. IOC ka ngritur një “task force”, të kryesuar nga japonezi Morinari Watanabe, që do të organizojë të gjitha eventet ndërkombëtare të boksit që të kualifikojnë në Olimpiadë (janar-maj 2020). Ky “task force” do të organizojë edhe duelet e boksit në Lojërat Olimpike si dhe ndarjen e kategorive.

Comments

No Comments Yet! You can be first to comment this post!

Write comment

Your data will be safe! Your e-mail address will not be published. Also other data will not be shared with third person. Required fields marked as *